• Contact & Follow Us On :

Të studiosh në Austri (universitetet)

Grϋß Gott

Sot do të flasim për universitetet në Austri. ‘Fachhochschule-t’. ose ndryshe ‘Universitetet e Shkencave të Aplikuara’ janë institucione të arsimit të lartë të njohura gjerësisht në Gjermani dhe Austri.

Austria numëron 21 institucione të këtij niveli që ofrojnë sëbashku mbi 500 programe studimi bachelor dhe master në fusha si; biznes, inxhinieri, mjekësi, IT (teknologji informacioni), shkenca sociale, kulturore, media dhe dizajn. Rreth 80 programe, përfshirë këtu dhe degën ku unë studiova, ofrohen tërësisht në anglisht. Kjo është ndihmuese për këdo që do të studiojë në anglisht dhe nuk ka fokus gjermanishten, duke mos u kufizuar kështu në vëndin që do të punojë ose jetojë më vonë.

Këto instuticione, si University of Applied Sciences Upper Austria i ofrojnë studentëve një edukim të lidhur ngushtë me praktikën dhe profesionin. Kjo reflektohet dhe në kurrikulën e programeve të studimit të cilat përfshijnë më shumë trajnime, projekte në bashkëpunim me sipërmarrjet vëndase dhe praktika pune. Këto janë avantazhe që do të veçoja përsa i përket fokusit të studimeve. E thënë shkurt më shumë praktike sesa teori.

‘Fachhochschule-t’ i japin studentëve edhe mundësinë e studimeve me kohë të pjesshme (part-time) të njohura ndryshe si ‘extra occupational programmes’. Gjithashtu ofrojnë programe ‘international foundation programme’, programe 1-vjeçare që të ndihmojnë të mësosh gjermanishten dhe të përgatitesh për studimet bachelor ose master në degën e përzgjedhur.

Shpesh dëgjoj diskutime që krahasojnë nivelin e universiteteve që ne njohim me ‘fachhochschule-t’ gjermane/austriake duke i klasifikuar këto të fundit si më të lehta kur bëhet fjala për studim. Zgjedhja gjithmonë ngelet individuale dhe lidhet ngushtë sipas mendimit tim me dëshirën e studentit/es, degën e studimit, fazën e karrierës, dhe objektivat personale.

Nga eksperienca mund të them që Austria ka një sistem të mirëorganizuar edukimi që lidh në mënyrë të shkëlqyer trinomin ‘edukim – industri – karrierë’.

E thënë thjeshtë, nxënësit dhe studentët përgatiten nëpërmjet degëve të studimit dhe kurrikulave për t’ju përgjigjur nevojave të industrisë. Kjo i jep një pamje të qartë për karrierën në vazhdim duke shmangur kostot financiare, emocionale dhe pasigurinë.

Ky trinom, fatkeqësisht mungon në pjesën dërrmuese të rasteve në vëndin tonë ose ngelet i shkruar vetëm në dokumenta strategjike.

Informacionet për këtë shkrim janë marrë nga portali i OeAD-GmbH – Agentur für Bildung und Internationalisierung dhe projekti ‘Students Ambassador’, një iniciativë që ndihmon studentët Shqiptarë dhe ndërkombëtarë që zgjedhin të studiojnë në Austri.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

en_GB