• Contact & Follow Us On :

Cilat janë degët e preferuara të studentëve shqiptar? Reflektim nga ‘Panairi Kombëtar i Edukimit.’

 

Mund të na tregosh më shumë mbi kushtet e pranimit? Vajza do të studiojë shkenca kompjuterike. Kemi parë dhe degën ‘Inteligjenca Artificiale’. Ndërsa djali është është i apasionuar pas inxhinierisë. Përfundon gjimnazin këtë vit prandaj erdhëm në panair.

Qindra prindër, nxënës, studentë ishin pjesë e ‘World Education Fair’ organizuar në Tiranë këtë fund Tetori. Panairi bëri bashkë disa prej universiteteve Europiane dhe ndërkombëtare më me zë. Institucione arsimore nga Italia, Austria, Zvicra, Anglia dhe Shtetet e Bashkuara shpalosën programet e tyre të studimit duke i mëshuar avantazheve, praktikave profesionale dhe mundësive për karrierë.

Pavarësisht se të dhënat mbi universitetet mund të gjenden lehtësisht në faqet e tyre zyrtare ose në portalet e studimit (studyportals/studienwahl), panairet janë organizime perfekte për t’u njohur nga afër me përfaqësuesit e universiteteve. Kjo i ndihmon studentët dhe prindërit për të shuar çdo pikëpyetje mbi kushtet e pranimit, aplikimin, kostot financiare dhe jetesën e përditshme.

Ç’ka më tërhoqi vëmendjen nga ata që vizituan tavolinën e University of Applied Sciences Upper Austria në panair ishte interesi i lartë për tre fusha studimi. Shkencat kompjuterike, degët e mjekësisë dhe ato të inxhinierisë ishin ndër më të kërkuarat për shkak të mundësive për punësim, pagave të kënaqshme dhe risive që ofrojnë. Kjo dëshmohet dhe nga të dhënat e mbledhura nga studentët përgjatë panairit.

Gjithashtu nëse shohim statistikat e INSTAT mbi studentët e regjistruar në arsimin e lartë në Shqipëri, për vitin akademik 2022-2023 vihet re një interes në rritje për trinomin; teknologji – inxhinieri – energji.

Të dhënat e INSTAT mbi numrin e studentëve të regjistruar në arsimin e lartë sipas fushave të studimit.

Kjo tendencë pozitive përputhet edhe me tregun global të punës. Nëse do të bëjmë një kërkim të shpejtë online mbi profesionet aktuale më të kërkuara dhe më të paguara rezulton se inxhinierët e softuereve dhe mjekët kryesojnë listën.

Ti kthehemi panairit, ‘Artificial Intelligence Solutions’ ishte një prej degëve të prezantuara e cila parapëlqehet nga të rinjtë dhe i përshtatet njëkohësisht tregut të ardhshëm të punës dhe zhvillimit teknologjik të viteve të fundit. Edhe për faktin se inteligjenca artificiale gjen zbatim në shumë fusha si, mjekësia, shërbimet, financa, marketingu etj.

Studimet në këtë drejtim e pajisin studentin me të gjitha aftësitë e nevojshme, teknike dhe menaxheriale për të zhvilluar një projekt nga konceptimi deri në implementim. Të diplomuarit mund të punësohen si inxhinierë, specialistë të të dhënave, menaxherë produkti ose konsulentë teknologjik. Vlen për t’u përmendur se studentët informohen mbi profesionet e ndryshme që mund të ndjekin dhe karrierën që secila degë ofron.

Pavarësisht sesi do të ndryshojnë tendencat e tregut të punës në vitet në vazhdim i qëndroj mendimit se zgjedhja e degës së studimit duhet të lidhet me dëshirat dhe qëllimet e individit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

en_GB