Cilin certifikim të gjuhës gjermane duhet të zgjedh për studime në Austri dhe Gjermani?
Nëse dëshiron të studiosh në Austri ose Gjermani, një nga kërkesat kryesore është dëshmia e njohurive të gjuhës gjermane përmes një certifikimi zyrtar. Pikërisht këtu lind shpesh pyetja: Cili certifikim duhet të zgjedh? A është ÖSD i vlefshëm për Gjermani? A më mjafton TestDaF për Austri? Ky udhëzues të ndihmon të kuptosh ndryshimet mes këtyre dy provimeve dhe se cili është më i përshtatshëm për qëllimet e tua.
Çfarë është ÖSD?
ÖSD, ose Österreichisches Sprachdiplom Deutsch, është një diplomë ndërkombëtare e gjuhës gjermane, e zhvilluar në Austri, por e njohur gjithashtu në Gjermani, Zvicër dhe disa vende të tjera. Ky certifikim mbulon nivelet nga A1 deri në C2 dhe është i strukturuar për të vlerësuar katër aftësitë bazë të gjuhës: lexim, dëgjim, shkrim dhe të folur.
ÖSD përdoret për disa qëllime. Së pari, është një provim i pranuar nga universitetet austriake si dëshmi e njohurive të gjuhës për pranimin në studime. Së dyti, është një nga provimet zyrtare që kërkohen për leje qëndrimi, bashkim familjar ose përfitimin e shtetësisë në Austri. Në disa raste, kjo diplomë njihet edhe nga universitete të caktuara në Gjermani, por nuk është certifikata standarde për studime atje.
Për studentët që dëshirojnë të studiojnë në Austri, ÖSD është certifikata më e përshtatshme, sidomos në nivelet B2 ose C1, në varësi të kërkesave specifike të universitetit. Gjithashtu, është zgjedhja më e mirë për ata që synojnë qëndrimin afatgjatë në Austri, pasi është certifikata e njohur zyrtarisht për proceset e migrimit.
Çfarë është TestDaF?
TestDaF, ose Test Deutsch als Fremdsprache, është provimi më i njohur ndërkombëtarisht për dëshmimin e njohurive të gjuhës gjermane për qëllime akademike. Ky provim është i pranuar nga të gjitha universitetet publike dhe shumica e universiteteve private në Gjermani.
Ndryshe nga ÖSD, TestDaF fokusohet ekskluzivisht te gjermanishtja akademike dhe universitare. Ai është projektuar për studentët ndërkombëtarë që dëshirojnë të studiojnë në Gjermani ose për ata që synojnë të punojnë në institucione akademike.
TestDaF nuk ofrohet në nivelet fillestare. Ai është i përshtatur për nivelet nga B2 në C1. Vlerësimi bëhet me një sistem pikësh nga 3 deri në 5, ku nota 3 përfaqëson nivelin minimal B2, ndërsa nota 5 përfaqëson nivelin më të avancuar C1. Shumica e universiteteve gjermane kërkojnë që studenti të ketë arritur një rezultat minimal, 4, në të gjitha pjesët e provimit.
Struktura e TestDaF është specifikisht e fokusuar në situata akademike. Pjesa e leximit dhe dëgjimit përfshin tekste universitare dhe ligjërata. Pjesa e të folurit simulon situata të tipit prezantime, diskutime që lidhen me universitetin apo studimet, ndërsa shkrimi fokusohet në ese dhe tekste akademike.
TestDaF nuk përdoret për qëllime migrimi apo për leje qëndrimi. Është ekskluzivisht një provim për studime dhe karrierë akademike.
Dallimet kryesore mes ÖSD dhe TestDaF
Dallimi kryesor mes ÖSD dhe TestDaF qëndron te përdorimi dhe qëllimi i provimeve. ÖSD është një provim më i përgjithshëm, i vlefshëm për studime, por gjithashtu edhe për procese ligjore si leje qëndrimi, bashkim familjar dhe shtetësi në Austri. Ai mbulon të gjitha nivelet nga A1 deri në C2 dhe fokusohet si në gjuhën e përditshme, ashtu edhe në atë akademike.
TestDaF është një provim specifikisht akademik dhe përdoret vetëm për pranim në universitetet gjermane. Ai nuk ofrohet për nivelet fillestare, por fillon nga B2 deri në C1, me një strukturë që kërkon zotërim të mirë të gjuhës në kontekst universitar. Për më tepër, TestDaF nuk ka aplikim për qëllime migrimi apo dokumentacioni ligjor.
Nëse plani yt është të studiosh në Austri, atëherë ÖSD në nivelin B2 ose C1 është zgjidhja më e mirë. Nëse dëshiron të studiosh në Gjermani, atëherë TestDaF është provimi i duhur dhe në shumë raste i detyrueshëm.
Cilin certifikim duhet të zgjedh?
Nëse synon Austrinë, ÖSD është certifikata më praktike dhe më e vlefshme për të gjitha proceset, si akademike ashtu edhe ligjore. Për universitetet austriake, zakonisht kërkohet niveli B2 ose C1, në varësi të programit.
Nëse synon Gjermaninë, duhet të përgatitesh për TestDaF. Shumica e universiteteve publike kërkojnë që kandidati të ketë të paktën rezultatin 4 në të gjitha pjesët e provimit. Ky është një standard që të garanton pranimin në shumicën e programeve bachelor dhe master.
Nëse ende nuk je i sigurt se cili është hapi i duhur për ty, këshilla më e mirë është të nisësh nga zgjedhja e vendit dhe e universitetit ku dëshiron të studiosh. Nga aty, përcaktohet qartë edhe lloji i provimit dhe niveli i kërkuar i gjuhës.
Si mund të të ndihmojë Educere Albania?
Educere Albania ofron këshillim të plotë për çdo hap të procesit të studimeve jashtë vendit. Nga konsulenca fillestare për përcaktimin e qëllimeve akademike, te përzgjedhja e universiteteve, përgatitja e aplikimeve, dokumentacioni, përgatitja për intervistat, procesi i vizës dhe deri në momentin e nisjes.
Përsa i përket gjuhëve të huaja, ne të ndihmojmë të kuptosh qartë kërkesat specifike të universiteteve, të lidhim me qendrat më të mira për përgatitje në provimet zyrtare si ÖSD, TestDaF apo certifikime të tjera, si dhe të mbështesim gjatë gjithë procesit, nga përgatitja deri te aplikimi final.