• Contact & Follow Us On :

Të studiosh në Austri (një krahasim)

 

Guten Tag!

Në shkrimin e fundit u diskutua shkurtimisht mbi ‘Universitetet e Shkencave të Aplikuara’ dhe ç’ka ato ofrojnë. Po ashtu, u përmëndën dhe disa faktorë që lidhen ngushtë me dëshirat dhe objektivat personale dhe profesionale të gjithë secilit.

Republika e Austrisë ka një traditë po aq të gjatë dhe të pasur kur bëhet fjala për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Austria numëron 35 universitete (prej të cilave 6-universitete artesh, 3-universitete mjekësore, 13-universitete private). Gjithashtu 21 universitete të shkencave të aplikuara dhe 14 kolegje universitare për mësuesinë në rang vendi.

Përpara çdo zgjedhje, por aq më tepër kur bëhet fjalë për tema si edukimi dhe karriera është e nevojshme dhe ndihmuese që të bëhet një krahasim dhe vlerësim i mundësive që ofrohen. Ky shkrim synon të ofrojë një pasqyrë më të plotë të këtyre mundësive. Pyetja e parë që duhet ti japim përgjigje është; çfarë do të studiosh? Nëse e ke menduar degën që do të ndjekësh ose fushën që të pëlqen atëherë mund të bësh një kërkim më të thelluar për universitetet që i ofrojnë këto fusha studimi.

Kur krahasojmë universitetet tradicionale që ne njohim me universitet e shkencave të aplikuara vëmë re se disa ndryshime mbi pranimin në universitet, tarifat, organizimin e studimeve dhe elemente të tjera që do të diskutohen në vazhdim (siç janë avantazhet dhe disavantazhet e secilës).

Të dyja tipet e institucioneve kërkojnë një diplomë gjimnazi (matura) dhe ofrojnë studime si në nivelin bachelor ashtu edhe master. Universitetet e Shkencave të Aplikuara lejojnë vetëm një numër të kufizuar studentësh në vit (në University of Applied Sciences Upper Austria 12-15 studentë/vit për programin me kohë të plotë). Për mendimin tim, një kusht ky që duhet trajtuar si mundësi sepse të lejon të krijosh një kontakt të drejpërdrejtë dhe më të shpejtë me studentët e tjerë dhe me stafin akademik.

Duke u nisur nga numri i kufizuar i studentëve në vit përzgjedhja bëhet nëpërmjet një proçesi pranimi që përfshin teste të ndryshme (në rastin tim një test i gjuhës angleze dhe një rast studimor nga fusha e marketingut) dhe intervistë me një përfaqësues të universitetit. Në krahun tjetër kjo praktikë nuk ndiqet nga universitet tradicionale të cilat (jo të gjitha) apikojnë STEOP (Studieneingangs- und Orientierungsphase) ose fazën prezantuese dhe orientuese. Kjo fazë mund të ndryshojë sipas universitetit, por qëllimi është njohja e studentit me lëndët që do të ndjeki dhe vlerësimi (nëpërmjet provimit/testimit) në përfundim të kësaj faze.

Kur diskutojmë për tarifat e studimit në Austri ka një dallim midis studentëve Austriakë dhe Europianë me studentët që vijnë nga shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian ose Zonës Ekonomike Europiane. Në universitetet e shkencave të aplikuara, studentët austriakë paguajnë 363,36 Euro + 20,20 Euro (ÖH fee/ tarifa për unionin e studentëve) për semestër e cila është e detyrueshme. Ndërsa studentët e tjerë (përfshi edhe ata Shqipëtar) duhet të paguajnë ~ 726,72 Euro/semestër. Në rastin e universiteve publike, studentët nga vëndet e BE-së nuk paguajnë tarifë semestrale nëse studimet mbyllen brënda afatit të përcaktuar por vetëm 20,20 Euro për unionin e studentëve. Ndërsa studentët Shqiptarë dhe ata jashtë EU-së duhet të paguajnë tarifën e plotë prej 726,72 Euro. Tarifat mund të ndryshojnë sipas universiteteve dhe mund të gjehen lehtësisht në faqet e universiteve ose platformat që promovojnë degët e studimit. Përsa i përket tarifave të studimit mund të ketë përjashtime për studentët me bursë ose studentët e programeve ‘exchange’.

Ndryshimin më të madh midis dy institucioneve e hasim në organizimin e studimeve. Universitetet e shkencave të aplikuara kanë një program (orar mësimor) të strukturuar dhe të pandryshueshëm, të ngjashëm me gjimazet. Studentët duhet të jenë të pranishëm në pjesën më të madhe të kohës dhe të punojnë në projekte në grupe të vogla. Kjo formë studimi i ndihmon studentët të jenë më të organizuar dhe ti përfundojnë studimet brënda kohës së përcaktuar. Mbi të gjitha, universitetet e shkencave të aplikuara shquhen për sensin praktik të studimeve. Ndërsa universitetet tradicionale i japin studentëve mundësinë të zgjedhin vetë lëndët që duan të studiojnë. Gjithashtu shumë lëndë nuk kërkojnë që studenti të jetë i pranishëm në çdo orë duke i dhënë liri në organizimin e kohës. Kjo në disa raste për shkak të angazhimit të ulët të studentit por dhe vonesave të mundshme organizative (jo për shkak të studentit) mund të sjelli zgjatjen në kohë të studimeve.

Materiali bashkëngjitur sjell në mënyrë të përmbledhur avantazhet dhe disavantazhet e gjithë secilës. Informacionin (foton) mund ta ruani me një ‘klik’ dhe ta shpërndani me miqtë e interesuar.

Së fundmi, zgjedhja për universitetin ju takon ju, por ç’ka ka rëndësi është përcaktimi i fushës/degës që ju pëlqen dhe kombinimi i saj me personalitetin dhe objektivat tuaja.

P.s: Në artikullin e rradhës mbi studimet në Austri do të diskutojmë mbi gjetjen e degës së preferuar.

Bis bald!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

en_GB