• Contact & Follow Us On :

Stories. Struggles. Successes.

Me Student Stories, Educere krijon një hapësirë ku studentët ndajnë eksperiencat e tyre të studimit jashtë vendit. Përtej universiteteve dhe procedurave të aplikimit, duam të flasim për jetën studentore, sfidat, arritjet, pasiguritë, ato fitoret e vogla dhe gjërat që studentët do të donin t’i kishin ditur përpara se të nisnin studimet.

Në historinë tonë të parë, Gloria Zefi na tregon për eksperiencën e saj në Austri, jetën në qytetin e Wels-it dhe studimet në Innovation & Product Management.

Çfarë të pëlqen më shumë nga Austria si vend dhe qyteti ku po jeton?

Gloria: Gjërat që më pëlqejnë më së shumti në Austri janë rregulli, standardi i jetesës, siguria, e cila është tepër e lartë, dhe mundësitë e karrierës që ofrohen këtu.

Unë jetoj në një qytet të vogël të quajtur Wels. Ajo që më tërheq rreth këtij qyteti është se është një vend i përshtatshëm për një jetesë të qetë studentore.

Përveç kësaj, ka shumë parqe dhe vende të bukura për shëtitje dhe për të kaluar kohën e lirë.

Cilat janë gjërat që nuk të pëlqejnë nga Austria apo që i kishe imagjinuar ndryshe?

Gloria: Gjërat që nuk më pëlqejnë në Austri janë vetmia dhe mungesa e familjarëve. Në shumicën e rasteve, për të huajt është e vështirë të krijojnë shoqëri dhe të integrohen për shkak të gjuhës gjermane.

Moti është i ftohtë, dimri është i gjatë dhe ka pak ditë me diell. Kjo më mërzit gjatë dimrit, sepse nuk ke ku të dalësh për shkak të borës dhe akullit.

Jetesa është e shtrenjtë: qiratë, transporti publik, energjia. Duhet të kesh një punë të mirë që t’ia dalësh në fund të muajit.

Çfarë të pëlqen më shumë nga dega që po studion?

Gloria: Innovation & Product Management, dega që po studioj, më pëlqen shumë, sepse është një profil që të nxit kreativitetin dhe të ndihmon të zhvillosh produkte dhe ide të reja inovative.

Ka mundësi të mira pune si Product Manager, Innovation Manager dhe Project Manager.

Bashkëpunon me njerëz të ndryshëm, ka shumë punë në grupe dhe mundësi për zhvillim profesional. Kjo degë të ndihmon të fitosh aftësi në menaxhim, të menduar, komunikim, strategji, marketing, biznes etj.

Po ashtu, një avantazh tjetër që duhet theksuar janë prezantimet e ndryshme, që të ndihmojnë në të shprehur dhe të fitosh vetëbesim me kalimin e kohës. Kjo të ndihmon edhe më vonë në karrierën profesionale.

Cilat janë gjërat që të duken më sfiduese në degën që po studion?

Gloria: Disa gjëra që do të theksoja janë se kjo degë kërkon angazhim të vazhdueshëm, të jesh i përditësuar me zhvillimet në fushën e shkencës dhe teknologjisë, por edhe të njohësh tregun, konkurrentët dhe klientët.

Projektet kanë afate dhe duhet të përfundohen në kohë, prandaj presioni i kohës është i bezdisshëm në shumicën e rasteve.

Një sfidë tjetër është pasiguria për një ide të caktuar, sepse jo çdo ide është e suksesshme në treg. Kjo sjell një lëkundje të besimit dhe dyshime në atë që po zhvillon.

Po ashtu, duhet të bashkëpunosh me shumë njerëz të ndryshëm në grupe dhe ndonjëherë mund të kesh konflikte mendimesh dhe idesh.

Çfarë do të doje të kishe ditur përpara se të nisje studimet?

Gloria: Rëndësinë e gjuhës gjermane.

Përshtatja kërkon shumë kohë dhe duhet të mësohesh të jesh shumë i duruar.

Është e rëndësishme të krijosh sa më shumë kontakte me studentë, profesorë dhe kompani gjatë studimeve. Të marrësh pjesë në aktivitete që zhvillohen në shkollë, sepse kjo të ndihmon të fitosh përvojë praktike dhe, njëkohësisht, të krijosh kontakte në fushën tënde.

Në fund, nuk bëhet fjalë vetëm për të marrë një diplomë, por edhe për t’u përgatitur për tregun e punës, për të ardhmen dhe për të marrë një eksperiencë të bukur, si teorike, ashtu edhe praktike.

Çfarë këshillash do t’u jepje studentëve të ardhshëm, nisur nga eksperienca që ke tani?

Gloria:

  1. Kini durim. Gjërat e bukura duan kohë. Mos u dorëzoni përballë vështirësive.
  2. Krijoni sa më shumë shoqëri. Bashkëpunoni me studentët, sepse mund t’ju ndihmojnë në të ardhmen.
  3. Mos kini turp apo siklet të flisni. Prezantoni dhe thoni mendimin tuaj. Shfrytëzojini këto mundësi për të fituar vetëbesim dhe për të prezantuar idetë tuaja.
  4. Mësoni gjermanisht. Është shumë e rëndësishme për jetën e përditshme, studimet dhe mundësitë e punësimit në Austri.
  5. Mos u fokusoni vetëm te teoria. Merrni pjesë në punë në grupe, projekte të ndryshme dhe sa më shumë angazhime. Këto angazhime ju ndihmojnë të fitoni përvojë dhe aftësi të reja.

────────

Falënderojmë Glorian që ndau me Educere eksperiencën e saj.

Edhe ti studion jashtë vendit dhe ke një histori për të treguar?

Bëhu pjesë e Student Stories dhe ndaj eksperiencën tënde me studentët që janë ende në fillimet e këtij rrugëtimi.

Educere – Your Education Compass.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

sq