Të studiosh në Austri (një intervistë e shkurtër)
Teksa mendoja për një mënyrë per të përcjellë informacione dhe keshilla mbi studimet e jetesën si student, mendja më shkoi te Medina Jakupaj – në atë moment studente në vitin e dytë master në degën Global Sales and Marketing në University of Applied Sciences Upper Austria. Tashmë e diplomuar, Medina jeton dhe punon në Austri.
Pa dyshim, kur bëhet fjalë për jetesën në një vend tjetër, faktet dhe burimet zyrtare të informacionit të ndihmojnë dhe janë të domosdoshme. Por, eksperienca e dikujt që ka qënë ose është pjesë e të njëjtit rrugëtim, për mendimin tim është e pazëvëndësushme. Një kombinim i të dyjave do të ishte një udhërrëfyes praktik me vlerë për studentët.
Shqiptarët janë të shpërndarë kudo nëpër botë, por gjithmonë është një kënaqësi dhe një ndjenjë sigurie kur takon një mik, shoqe ose edhe të panjohur jashtë kufijve të vendit tënd. Medinën e kam takuar vitin e kaluar, kur ajo sa kishte ardhur në Steyr. Shpeshherë kemi biseduar në korridoret e universitetit mbi Austrinë dhe zgjedhjen e të dyve për të studiuar këtu. Së fundmi vendosa të bëjmë një intervistë të shkurtër për ti përmbledhur këto biseda.
…shkëputur nga biseda me Medinën
Medina, pse ke zgjedhur Austrinë për studimet master?
- Dëshira ime ishte të kryeja studimet master edhe pse jo të jetoja diku në Europë. Austria ishte një nga alternativat që kisha bashkë me Gjermaninë dhe Francën. Mbasi i shqyrtova të gjitha mundësitë vendosa të vij këtu. E shoh Austrinë si një vend strategjik, i vendosur në zemër të Europës që ofron mundësi për të ardhmen time. Jo vetëm strategjik, por edhe shumë i bukur, gjithashtu mund të lëvizësh kudo në Europë për turizëm, edukim ose punë.
- Çdo qytet është i mirë organizuar, duke filluar nga qytetet e mëdha deri tek provincat e vogla. Ka shumë gjëra që më pëlqejnë, më ler të përmënd pjesën kulturore, arkitektura, parqet, natyra. Me të vërtetë shumë qetësuese. Gjithashtu mund të takosh njerëz nga e gjitha bota ku prej secilit është e sigurtë që do marrësh diçka, ka shumë aktivitete që mund të zhvillohen në kohën e lirë, vetëm ose në shoqëri.
- Arsyeja tjetër janë universitetet që ky vend ofron. Mënyra e mësimdhënies por edhe kurrikula. Vëllai im studion në HTL (Shkollën Austriake në Shkodër), edhe kjo është një prej arsyeve që më shtyu duke njohur kurrikulën dhe mënyrën e organizimit të studimeve.
Pse ke zgjedhur University of Applied Sciences Upper Austria? Si ka ardhur ky vendim? Nëse mund të më flasësh pak për proçesin.
- Mbasi mbarova bachelorin isha e vendosur që masterin do e bëja në një nga vendet e Bashkimit Europian. Disa miq të familjes me treguan për uniassist, portali që të jep mundësinë për të bërë aplikime për degë bachelor dhe master në universitetet në Gjermani. Aty u njoha me universitetin dhe mundësitë që ofronte; programet double ose triple-degree ku ti ke mundësinë të studiosh në 2-3 universitete në botë përgjatë periudhës së masterit. Normalisht, aplikova pa u menduar dy herë.
- Proçedura e aplikimit dhe i gjithë proçesi në tërësi ka qënë i lehtë. Normalisht, ka presionin e vet sepse ke një intervistë me përfaqësuesit e degës dhe një testim të njohurive të gjuhës angleze. Mbasi mora letrën e pranimit më duhej të aplikoja për vizë studentore. Më duhet ta them ky ka qënë momenti më i vështirë dhe sfidues i gjithë proçesit.
Nëse mund të më thuash diçka më shumë mbi universitetin dhe degën që po studion.
University of Applied Sciences Upper Austria është një ndër universitetet më të mira në Austri, i organizuar në 4 kampuse studimi në 4 qytete të ndryshme (Steyr, Hagenberg, Linz, Wels). Si universitet më pëlqen shumë, të jemi të drejtë asgjë nuk është perfekte dhe ka elemente që mund të përmirësohen. Siç e shoh, do sugjeroja të kishte më shumë vëmëndje për studentët e rinj, sidomos për studentët ndërkombëtarë që sapo kanë ardhur në Austri. Dega ka qënë pikërisht ajo që kam dashur gjithnjë; marketingu. Dega ‘Global Sales and Marketing, duke nisur me përmbajtjen e lëndëve dhe mënyrën e mësimdhënies. Mund të them që më ka ndihmuar shumë edhe profesionalisht. Profesorët vijnë direkt nga industria, pjesa më e madhe kanë punuar më herët në kompani Austriake dhe ndërkombëtare. Më ler të përmënd aktivitet si ‘Field Trip China’ ku organizohen takime dhe prezantime me sipërmarrës që ushtrojnë aktivitetin e tyrë në Kinë dhe ndajnë eksperiencën e tyre me studentët. Gjithashtu ‘Innocamp’ një sprint 36-orësh ku na është dashur të zhvillojmë një ide novatore biznesi për një sipërmarrje Austriake. Ide e cila më vonë do të vihej në jetë nga vetë ata. Shkurtimisht, orientimi i studimeve është më tepër praktik sesa teorik. Kjo gjë më ka ndihmuar të njoh më nga afër organizimin dhe kërkesat e punës në sipërmarrjet Austriake.
Po qyteti, si të duket? Çfarë ka diçka të veçantë? Po diçka që do doje të ishte ndryshe?
- Steyr si qytet është shumë i lezetshëm. Do të thoja, një përrallë e vërtete duke u bazuar nga arkitektura gotike, e ardhur nga mesjeta që të ben te ndihesh sikur je pjesë e një filmi, natyra përrreth me dy lumenjtë Enns dhe Steyr e bëjnë më të këndshëm si qytet.
- Konvikti ku kam zgjedhur të jetoj këtë vit është vetëm 5 minuta larg universitetit, diçka shumë praktike për mua. Kushtet dhe kostot e qerasë për një dhomë teke nuk janë të larta dhe jam e kënaqur me këtë pjesë.
- Ajo çka do të doja të ishte ndryshe në kete qytet te vogel tipik studentor do të ishte më shumë mundësi punësimi përgjatë studimeve. Duke qënë se është një qytet gjerman folës dhe në nivel profesional, gjermanishtja duhet me patjetër.
Po jeta sociale si është për ty, shoqëria, aktivitetet?
Në nje qytet studentor si Steyr, has shumë studentë ndërkombetar në përditshmëri dhe gjithmonë ke mundësinë të takosh njerëz nga e gjitha bota, që vijnë dhe nga universitetet partnere. Mund të takohesh për një gotë ose ti bashkohesh party-t të ditës së mërkurë që është një traditë për qytetin. Gjithashtu ka dhe një sërë aktivitetesh që organizohen nga ‘Unioni i Studentëve’
Përafersisht sa janë shpenzimet e tua mujore si studente?
- Shpenzimet mujore në Steyr duke përfshirë këtu qeranë, ushqimet, siguracionin dhe gjithë aktivitetet e tjera variojnë, përafërsisht në 500-700 Euro në muaj.
Cili eshte plani pas studimeve?
- Plani është të punoj dhe jetoj në Austri, më pëlqen shumë si vend dhe mendoj se jam përshtatur shpejt.
Një këshillë ose sugjerim për gjithë studentët që janë duke u përgatitur për studimet bachelor ose master.
Një këshillë jo vetëm për studentët e tjerë por që ja rikujtoj edhe vetes është ‘Mos u dorëzo’. Proçedurat e aplikimit, sidomos marrja e vizës, noterizimi i dokumentave të duket si një periudhë që nuk do të marr fund dhe të sfidon moralisht por rezultati do ja vlejë.
Një këshillë tjetër është të gjeni një degë që ju pëlqen dhe ju duket interesante, një degë që do marri vëmendjen tuaj. Diçka që kam arritur të kuptoj gjatë gjithë këtyre viteve studime është që gjërat e bukura fitohen me mund. Mund të lodheni por është një eksperiencë qe do ja vlejë për gjithë jetën, si personalisht ashtu edhe profesionalisht.
-fundi i intervistës
_____________________
Çfarë mund të marrim nga kjo intervistë e shkurtër?
- Zgjedhja e degës së studimit duhet të jetë individuale dhe të lidhet ngushtë me dëshirat, objektivat por edhe tregun e punës.
- Mos ngurroni të bisedoni dhe të kërkoni sugjerime ose ndihmë nga të afërmit dhe miqtë.
- Bëni vetë një kërkim paraprak në internet mbi degët e studimit dhe mbani shënime
- Shpenzimet mujore mund të variojnë nga qyteti që zgjedh të jetosh, akomodimi dhe shpenzimet vetjake.
Çfarë duhet të kem parasysh për aplikimin?
- Zakonisht, universitetet i publikojnë vetë në websitet e tyre kërkesat dhe mënyrën e aplikimit. Kliko për të parë rastin ilustrues.
- Nëse nuk mund ta gjesh informacionin e kërkuar ose ke pyetje/paqartësi kontakto universitetin nëpërmjet e-mailit.
- Fillo herët me përgatitjen e dokumentave për aplikimin në universitet. Gjithashtu dhe për aplikimin për vizë/leje qëndrimi.
- Aplikimet kanë afatet e tyre por në disa raste këto afate mund të zgjaten për shkak të numrit të lartë të aplikantëve ose organizimit të brëndshëm të institucionit. Bëni durim!
- Aplikimet për vizë/leje qëndrimi mund të kryhen pranë Ambasadës Austriake në Tiranë ose në autoritetin përkatës në vendin ku do të qëndrosh në Austri.
- Për informacion më të detajuar; aplikimi në ambasadën në Tiranë, aplikimi mbas mbërritjes në Austri.
- Siguracioni shëndetësor në Austri është i detyrueshëm për këdo që jeton më tepër se 6 muaj. Për informacion më të detajuar mbi dokumentacionin e nevojshëm dhe aplikimin.